• Feb 09, 16
  • isigurtwm

Tiranë, 9 Shkurt 2016 -  Në Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurtë dhe nën moton #WePROTECT,  u mbajt sot Takimi Kombëtar për Sigurinë e Fëmijëve Online. Takimi u organizua nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë,  Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunimm me UNICEF dhe CRCA Shqipëri.

Qëllimi i takimit ishte intensifikimi i përpjekjeve të institucioneve publike për mbrojtjen e fëmijëve në internet, si dhe i mundësisë për ngritjen dhe zhvillimin e Mekanizmit Kombëtar për Sigurinë e Fëmijëve në Internet. Në këtë kuadër u nënshkrua “Marrëveshja e Bashkëpunimit për Sigurinë e Fëmijëve në Internet” midis katër ministrive. Bazuar mbi këtë marrëveshje palët nënshkruese marrin angazhimin të forcojnë kuadrin e duhur ligjor, mbrojnë viktimat e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual online, identifikojnë abuzuesit dhe vendosin një dialog konstant me aktorët e shoqërisë civile dhe industrive të komunikimit dhe internetit për sigurinë e fëmijëve online.

Ndër të tjera u prezantua “Platforma Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve në Internet”-WWW.ISIGURT.AL si dhe tek aplikacioni telefonik i “ISIGURT”, duke theksuar rëndësinë e tyre në procesin e parandalimit, edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimi dhe shfrytëzimi seksual online.  Platforma dhe Aplikacioni do të shërbejnë si qëndër burimore informimi dhe raportimi nga ana e fëmijëve, prindërve, mësuesve dhe gjithë aktorëve socialë të interesuar për çëshjtet e sigurisë online të fëmijëve.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të ministrive të linjës, të pushtetit lokal, donatorë, organizata ndërkombëtare, sektori privat, organizata të shoqërisë civile, si dhe të rinj aktivistë të shoqërisë civile.

Konferenca për Sigurinë e Fëmijëve në Internet shënon një ngjarje shumë të rëndesishme në kontekstin e mbrojtjes dhe zbatimit të të drejtave të fëmijëve dhe në përballimin e sfidave që sjell përdorimi i internetit nga fëmijët.