|   NA KONTAKTONI   |   MEMBER LOGIN

Udhëzime për Mësuesit

You are here

Udhëzues për mësuesit në lidhje me privatësinë, cyberbulling, sexting, përmbajtjes së paligjshme dhe përmbajtjes së papërshtatshme

Media sociale dhe shkëmbimet e mesazheve online në ditët e sotme kanë ndërlikuar pak shkollore dhe private të nxënesve. Shkollat duhet të ndërmarrin hapa të qartë për të mbrojtur nxënësit gjatë komunikimeve elektronike. Kur bëhët fjalë për kërcenime online si cyberbulling dhe sexting ndonjëherë fëmijët ndjehen nën presion për tu bërë pjesë e grupeve që i iniciojnë ato. Mësuesit mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për t'i mbrojtur fëmijët nëpërmjet bisedave të hapura me nxënësit për sigurinë online dhe gjithashtu mund të vendosin rregulla dhe udhezojnë fëmijët që të mbrohen nga cyberbulling, pornografia dhe kërcënimet e tjera. Gjithashtu mësuesit duhet t’i kushtojnw vëmëndje të veçante dhe orientimit të nxënësve për të mbrojtur të dhënat personale gjatë aktivitetit online. Mësuesit gjatë diskutimeve më nxënësit duhet të marrin në konsideratë disa aspekte të rëndësishme të jetës online si:

1.Privatësia

Që nga lindja e internetit, të rriturit kanë qënë të shqetësuar në lidhje me atë se çfarë fëmijët ndajnë online. Frikërat janë të ndryshme dhe ndonjëhere reale. Fëmijët mund ta ekspozojnë veten ndaj vjedhjes së identitetit duke iu ofruar të tjerëve fjalëkalime, datëlindje dhe të dhëna të tjera personale. Po ashtu i njëjti informacion mund të ndahet padashje nga fëmijët edhe me grabitqarët seksual. Nxënësit duhet të marrin në konsideratë faktin e rëndësisë së ruajtjes së privatësisë online duke mos iu ofruar informacion dhe të dhëna personale ndaj personave të tjerë kushdo qofshin keto.

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

Nxënësit duhet të angazhohen për të ndjekur rregullat e shkollës. Krijoni një model të shkruar marrëveshje për përdorimin e kompjuterave në shkollë ku të përfshihet privatësia dhe mosdhënia e të dhënave personale personave të tjëre. Ky veprim i ndërgjegjëson për rëndësinë e privatësisë por në të njëjtën kohë duke qënë e shkruar ua imponon mbrotjen e të dhënave. 

Zhvilloni orë bashkëbisedimi më nxënësit në klasa. Informojini ata për mënyrën se si duhet ti përdorin të dhënat e tyre në rrjete sociale por informijini ata edhe për politikat që kanë rrjetet sociale në mbajtjen e të dhënave personale.

2.Cyberbulling

Cyberbulling është një term i përdorur për të përcaktuar format e ndryshme të abuzimit psikologjik gjatë aktivitetit online të fëmijëve. Cyberbullying është terminologji që përdoret kur njerëzit përdorin internetin për të kërcënuar, ngacmuar, apo poshtëruar dikë duke dërguar mesazhe, fotografi dhe video. Mediat sociale dhe shkëmbimi i mesazheve në rrjetet sociale janë pjesë e veprimtarisë së përditshme të shumë nxënësve. Nxënësit përdorin rrjetet sociale për të qënë në kontakt me njëri-tjetrin edhe pas mësimit, për të shkëmbyer planet për kohen e lire për fundjavat, por ndonjëhere edhe mund të kalojnë vijën e përdorimit të komunikimit normal duke ngacmuar apo tallur nxënësit e tjerë. Këto ngacmime ndikojnë që disa nxënës të ndryshojnë shkollën, por disa nxënës të tjerë pasojat mund të jenë më tragjike deri në tentativa për të dëmtuar veten apo tentativa vetvrasje.

Qasja më e mirë për të mbrojtur nxënësit kundër cyberbullying është që shkolla të jetë proaktive dhe të krijoje udhëzime për parandalimin e fenomenit të cyberbulling. Shkollat duhet të krijojë një politikë që merret me cyberbullying edhe kur ndodh jashtë shkollës.

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

Krijoni në një kënd të dukshëm në shkollën apo klasën tuaj një mision të shkruar për të drejtat dhe përgjegjësite online të nxënësve ku një ndër pikat kryesore të jetë komunikimi me respekt ndaj njëri-tjetrit.

Sigurohuni që shkolla juaj ka një sistem raportimi të rasteve të cyberbulling që i mbron dhe trajton viktimat e këtij fenomeni. Gjithashtu shkolla duhet të sigurojë një mënyrë të thjeshtë raportimi për prindërit dhe nxënësit të rasteve të cyberbulling dhe problemeve të tjera pa frikën e hakmarrjes si psh:

  • Inkurajoni fëmijët të flasin me mësuesit dhe psikologët në shkollë kur ata ekspozohen ndaj cyberbullying duke ju garantuar atyre ruajtjen e konfidencialitetit;
  • Inkurajoni fëmijët të telefonojnë ALO 116 për të raportuar dhe për të marrë shërbime të specializuara kur ata bien viktime e cyberbulling;
  • Inkurajoni fëmijët të vizitojne faqen www.isigurt.al për të raportuar rastet e cyberbulling dhe për t’u informuar për mënyrat se si mund ta mbrojnë veten gjatë aktivitetit online;

3.Sexting

Sexting është një term i përdorur për të përshkruar dërgimin e mesazheve, fotove me përmbajtje seksuale kryesisht nëpërmjet celularëve. Sexting shpesh ktheht në një çështje shqetësuese kur çiftet e adoleshentëve ndahen nga njëri-tjetri dhe gjatë kohës së lidhjes kanë shkëmbyer mesazhe dhe foto intime. Edhe ne vendin tonë ka filluar të përhapet si fenomen ku nxënësit e shkollave të mesme kërcënojnë me publikime të shkëmbimeve intime njeri-tjetrin.

Sipas studimeve të fundit sexting konsiderohet si një portë për sjellje me risk të madh seksual. Ndaj që është shumë e rëndësishme që mësuesit në shkollë të flasin më nxënësit dhe ti ndërgjegjësojnë ata për pasojat e kësaj sjellje të rrezikshme.

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

Përfshini gjithë komunitetin e shkollës duke ndërtuar komunikim intensiv me stafin pedagogjik dhe prindërit e nxënësve. Përdorni një email ose buletin për të informuar prindërit për politikat e shkollës për të mbrojtur fëmijët nga sexting. Ftojini prindërit të flasin më fëmijët e tyre për pasojat e kësaj sjellje. Një gjë është e sigurt që kur prindërit angazhohen në dialog me adoleshëntët ka më pak të ngjarë që ata të përfshihen në sjellje të rrëzikshme.

Gjithashtu ashtu si në rastin e cyberbulling shkolla duhet të angazhohet që të ketë një sistem të lehtë dhe të besueshem raportimi. Nxënësit duhet të jenë në gjëndje të raportojnë këto raste pa patur frikë se mund të paragjykohen.

4.Përmbajtja e paligjshme dhe e papërshtatshme

Të gjitha shkollat duhet të përdorin filtra për të penguar nxënësit që të kenë akses në faqe me përmbajtje të paligjshme dhe të papërshtashme për moshën e tyre. Pavarësisht këtyre filtrave mund të ketë raste që fëmijët mund ti aksesojne keto faqe.

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

Informojini dhe mesojuni nxënësve rregullat e përdorimit të kompjuterit në shkollë. Në shkollë ju duhet të flisni dhe për përmbajtjet e papërshtatshme, sigurinë e fjalëkalimeve dhe viruset e mundshme në internet. Zbatimi i rregullave bëhet më i lehtë ku ju e dini se nxënësit janë në dijeni të rregullave.

Qëndroni të qëtë. Ndonjëherë nxënësit tuaj mund të ndeshen aksidentalisht me përmbajtje të papërshtatshme në internet edhe në shkollë. Nëse ju e vini re ketë udhezojini nxënësit që mënjëhere të mbyllin faqet, të fikin kompjuterin apo laptopin dhe diskutoni qëtësisht më nxënësin për problemin.

5.Raportimi i rasteve të abuzimit online

Mësusesit dhe stafi pedagogjik i shkollës duhet të ketë parasysh se eksiztojnë një sërë institucionesh dhe mekanizmash ku mund të raportohen çështje që kanë të bëjnë me sigurinë online të fëmijëve.

ALO 116-Linja e Telefonit të Ndihmës për Fëmijë i mbron fëmijët nga abuzimi online duke:

  • Duke marrë dhe analizuar ankesa nga fëmijët, prindërit, mësuesit, profesionistët që punojnë me/për fëmijët apo çdo person tjetër i interesuar për të raportuar abuzimet online nëpërmjet telefonatave pa pagesë në numrin 116 111 çdo ditë;
  • Duke ofruar informacion dhe mbështetje për fëmijët, prindërit, mësuesit dhë të gjithë profesionistët që punojne me/për fëmijët që të përdorin internetin në mënyrë të sigurtë;
  • Duke referuar të gjitha ankesat dhe raportimet në shërbimet dhe institucionet ligjzbatuese që punojnë për sigurinë online të fëmijëve;

Platforma isigurt.al ka si qëllim të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të paligjshme dhe papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Nëpërmjet direktorise RAPORTO në këtë platforme dhe aplikacionit për smartphone iSigurt raportohen në kohën më të shpjetë raste të abuzimit online.

Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT) është autoriteti qendror për identifikimin, parashikimin dhe marrjen e masave për mbrojtjen ndaj kërcënimeve/sulmeve kompjuterike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është përgjegjëse për administrimin e infrastrukturës qeveritare të Çelësit Publik (PKI) dhe siguron pajtueshmërinë me nenin 19 të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008 "Për nënshkrimin elektronik”. Në shërbimet që ofron nëpërmjet Qendrës së të Dhënave Qeveritare (Datacenter Qeveritar), për administratën publike, garanton autentifikim dhe identifikim të sigurtë, internet të sigurtë dhe DNS të sigurtë.

Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës në bashki/komunë funksionon brenda strukturës administrative të bashkisë/komunës, është kontakti i parë me fëmijën në rrezik dhe ka përgjegjësinë për identifikimin e rastit, menaxhimin dhe ndjekjen e tij derisa fëmija të konsiderohet “jo në rrezik” .

Policia e Shtetit, është organi përgjegjës për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale, ndër të cilat përfshihen dhe veprat penale në fushën e TIK, që ndiqen nga Sektori i Kundër Krimit Kompjuterik. Prokuroria e përgjithshme përmes sektorit të krimeve kibernetike ushtron ndjekjen penale për vepra penale në fushën e kibernetikës. Kjo strukturë kontrollon aktivitetin e njësive të posaçme për ndjekjen e krimeve kibernetike, që janë ngritur në prokuroritë e rretheve gjyqësore.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), kontrollon zbatimin e masave të nevojshme mbrojtëse teknologjike për mbrojtjen e të dhënave personale të pajtimtarëve dhe siguron integritetin dhe sigurinë e rrjeteve të komunikimeve elektronike publike.

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është autoriteti përgjegjës i pavarur, që mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin, mbrojtjen e të dhënave personale elektronike gjatë ruajtes, përpunimit dhe transmetimit të tyre, duke respektuar e garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, është institucion publik i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij si dhe autoritet përgjegjës i cili siguron mbrojtje efektive nga Diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin.

6.Çfarë thonë fëmijët për përdorimin e internetit?

Në dhjetor 2013 – janar 2014, 900 fëmijë të moshës 13 – 18 vjeçare, u intervistuan në Shqipëri nga World Vision, në lidhje me internetin. Gjetjet kryesore të këtyre intervistave tregojne se rreziqet më kryesore të perceptuara nga fëmijët ishin ato të lidhura me përmbajtjen, pasuar nga ato të lidhura me sjelljen dhe më pas ato të lidhura me kontaktet.

  • Ngacmimet (bullying), vjedhja e fjalëkalimeve, si dhe shikimi i paqëllimshëm i materialeve pornografike gjatë përdorimit të internetit janë çështje serioze me të cilat përballen fëmijët aktualisht, ku 45% e të pyeturve vunë në dukje se fëmijëve iu duhet të përballen me të tilla çështje çdo ditë;
  • Sipas 44% të të pyeturve, fëmijët shohin materiale pornografike çdo ditë;
  • 47% e fëmijëve të invervistuar pranojnë që, brenda vitit të fundit, ata janë kontaktuar online nga një individ i panjohur;
  • Nga 47% e fëmijëve që janë kontaktuar online nga një individ në vitin e fundit, 40% e tyre ishin kontaktuar nga persona të huaj;
  •  Shumica e qytetarëve të huaj të panjohur që kontaktojnë fëmijët shqiptarë online janë nga Mbretëria e Bashkuar (33%), Italia (14%) dhe nga SHBA (8%);
  • 68% e fëmijëve si nga zonat rurale ashtu edhe nga ato urbane konfirmojnë ekzistencën e vendndodhjeve, kompjuterave, ose ekraneve që shfaqin materiale pornografike në kundërshtim me dëshirën e tyre;
  • Shumica e materialeve pornografike të paqëllimshme që shfaqen ndodh në qendra internet (internet café);
  • 32% e fëmijëve të intervistuar konfirmuan që nëse do të lëndoheshin online, më pak të mundshmit për t’iu kërkuar ndihmë do të ishin mësuesit. Kjo pasohej nga policia, ku 27% e fëmijëve nuk e konsiderojnë si një institucion për ndihmë;

Partnerët

Rreth Nesh

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Lidhuni me ne

 
 

Mbështetur Nga