|   NA KONTAKTONI   |   MEMBER LOGIN

#WeProtect

You are here

INTERNET I SIGURT PËR FËMIJËT NË SHQIPËRI

  1. Çfarë është #WePROTECT

#WePROTECT është një nismë e Mbretërisë së Bashkuar dhe UNICEF, që ka qëllim të mbështesë në rang global iniciativat për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve nga abuzimi dhe shfrytëzimi online. Kjo iniciativë synon që të identifikojë dhe mbrojë viktimat e abuzimit seksual, të fshijë materialet e abuzimit seksual të fëmijëve në internet, të forcojë bashkëpunimin e shteteve për kapjen e abuzuesve, si dhe të ndërtojë kapacitetet e nevojshme për trajtimin e abuzimit seksual të fëmijëve.

#WePROTECT ka bashkuar zyrtarët më të lartë të qeverive nga më shumë se 50 vende të ndryshme, përfaqësues të interpolit, sektorin privat, agjensitë ndërkombëtare dhe organizatat kyçe të shoqërisë civile, të cilat kanë rënë dakort të ndërmarrin një seri masash për ti dhënë fund shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet. Ata nënshkruan së bashku tre marrëveshje ndërveprimi: për qeveritë, për bizneset dhe për organizatat.

Shqipëria ka qënë pjesë e marrëveshjes për qeveritë, e quajtur “Modeli Kombëtar”, e nënshkruar në Samitin e Abu Dhabit për të parandaluar dhe trajtuar rastet e abuzimit dhe shfrytëzimit online. “Modeli Kombëtar” përshkruan praktikat më të mira të vendeve për t’u ndërmarrë kur zhvillohen strategjitë për të luftuar shfrytëzimin seksual të fëmijëve. Ai identifikon kapacitetet kyçe të nevojshme për të parandaluar rrezikun, për të ndjekur shkelësit, për të mbështetur viktimat, si dhe për të përgatitur ndërhyrjet si pjesë e përgjigjes gjithëpërfshirëse.  Çdo shtet që ka firmosur marrëveshjen është i inkurajuar të ndjekë së bashku me qeverinë e tij, bashkëpunimet e mundshmë në fushën e sigurisë së fëmijëve online.

  1. Shqipëria dhe  #WePROTECT

Në mbështetje të nismës #WePROTECT, UNICEF Shqipëri dhe CRCA janë duke punuar për të koordinuar përpjekjet e institucioneve publike, ofruesve të internetit, OSHC-ve, mësuesve dhe prindërve në funksion të mbrojtjes së fëmijëve online.  Linja e Telefonit për Fëmijë – ALO 116 do të jetë zbatuesja e nismës.

Në nivel kombëtar kjo iniciativë synon që të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme; për për të identifikuar viktimat e abuzimit dhe për të përdorur praktikat më të mira të trajtimit të viktimave; për të ngritur strategji që sigurojnë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve socialë në parandalimin dhe mbrojtjen  e fëmijëve në Shqipëri nga abuzimi dhe shfrytëzimi online; për forcimin e legjislacionit që mundëson trajtimin e këtij krimi ligjërisht, kapjen e abuzuesve dhe zhvillon mekanizma të mirëfilltë parandalimi dhe trajtimi të viktimave, për t’u siguruar që çdo aktor social ka të drejtën dhe detyrimin për të raportuar rastet e abuzimit dhe materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët.

Programi dhe Plani i Punës përfshin hapa specifike që konsistojnë në:

  • Përmirësimin e mekanizmave  të raportimit nëpërmejt Linjës së Telefonit për Fëmijë ALO 116 , Platformës Kombëtare të Informacionit për Sigurinë në Internet, aplikacioneve në telefon etj;
  • Specializimin e punonjësve të fushës nëpërmjet manualeve dhe trajnimeve të vazhdueshme, duke përfshirë këtu: policinë për kapacitetet investiguese dhe parandaluese, mësuesit për çështjet e informimit dhe psiko-edukimit, punonjësit e njësive për mbrojtjen e fëmijëve për çështjen e trajtimit dhe menaxhimit të rasteve të shfrytëzimit dhe abuzimit online etj;
  • Mundësimin dhe qasjen e mënyrave, mjeteve për informimin e fëmijëve mbi abuzimin  online, mbrojtjen dhe raportimin e krimeve. Kjo gjë do të mundësohet nëpërmjet fushatave ndërgjegjësuese në institucione arsimore.
  1. Nismat e ndërmarra

  • Koordinimi i të gjithë aktorëve socialë

Kjo iniciativë ndërinstitucionale ka bërë së bashku një sërë institucionesh publike ose jo publike ku përfshihen: Unicef Shqipëri, CRCA Shqipëri, Linjën Kombëtare të Telefonit për Fëmijë – ALO 116, Agjensia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT), Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF), Instituti i Zhvillimit të Arsimit – IZHA, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AKEP, ministritë e linjës, kompanitë telefonike, ISP-të etj.

Është shumë i rëndësishëm forcimi i dialogut midis institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe agjensive private për sigurinë në internet, me synim krijimin e një rrjeti informal midis të gjithë aktorëve që punojnë dhe kujdesen për të drejtat e fëmijëve.

  • Fushata ndërgjegjësuese në institucionet arsimore

Në mbështetje të këtij projekti dhe në kuadër të iniciativave të ALO 116 për ofrimin e shërbimeve inovatore do të ngrihen në 12 qarqe të Shqipërisë Rrjetet Rinore, të cilat do të realizojnë fushatat e ndërgjegjësimit në Institucionet Arsimore Publike për Çështjen e Internetit të Sigurtë për Fëmijët në Shqipëri. UNICEF dhe CRCA me mbështetjen e ALO 116 do të realizojnë ngritjen, koordinimin dhe trajnimin e Rrjeteve Rinore në 12 qarqet e vendit. Këto “Rrjete Rinore” do të jenë implementuesit e drejtpërdrejtë të nismës.

  • Platforma Kombëtare për Internetin e Sigurt

Misioni i Platformës Kombëtare për Internetin e Sigurt për Fëmijët në Shqipëri është të fuqizojë fëmijët, prindërit, mësuesit dhe të gjithë qytetarët që të përdorin internetin dhe mënyrat e tjera të komunikimit teknologjik, në mënyrë pozitive, të sigurt dhe efektive. Kjo platformë ka në qendër të vëmëndjes së saj përgjegjësinë e përbashkët për mbrotjen e të drejtave dhe nevojave të fëmijëve online nga institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, mësuesit, prindërit, media dhe nga industria e komunikimit teknologjik. Kjo platformë së bashku me partnerët do të punojë intensivisht për të ndarë praktikat dhe modelet pozitive në lidhje me sigurine online. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi synohet të rriten standartet e sigurisë së internetit për fëmijët në Shqipëri.

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

  • Aplikacioni telefonik “I SIGURT”

Po planifikohet krijimi i aplikacionit online me emërtimin “I SIGURT”, i cili vjen si një mjet i ri në ndihmë të prindërve, mësuesve, profesionistëve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijeve dhe të gjithë komunitetit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi online. Aplikacioni do të shërbejë si burim raportimi, informacioni dhe udhëzimi për të gjithë aktorët social të përfshirë në mbrojtjen e fëmijëve online.

  • Përmirësimet e mundshme ligjore

U hartua drafti- propozimi me ndryshimet e nevojshme ligjore.

Kuadri institucional paraqet disa mangesi thelbësore që kërkojnë një adresim sa më të shpejtë në disa drejtime si: deklarimi i përmbatjes së paligjshme dhe autoritetit përgjegjës për vendimarrjen për bllokimin e përmbajtjes; dhuna ndaj femijëve në internet dhe autoriteti përgjegjës për ndjekjen e çështjes; dhuna ndërmjet vetë femijëve; siguria e femijëve online dhe aksesi që kanë të rriturit kur ata i përgatisin femijët për të hyrë në rrugën e shfrytëzimit apo abuzimit seksual (grooming); mekanizmi kombëtar për ndjekjen e rasteve të raportuara për dhunë dhe shfrytëzim të fëmijëve në internet.  

Partnerët

Rreth Nesh

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Lidhuni me ne

 
 

Mbështetur Nga