LINJA KOMBËTARE PËR INTERNET TË SIGURT NË SHQIPËRI
ALBANIAN NATIONAL HOTLINE FOR INTERNET SAFETY

Institucionet shtetërore dhe siguria në internet

You are here

Mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në internet 

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës është institucioni përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve nën moshën 18 vjeç, së bashku me rrjetin e gjerë të Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në nivel vendor. Ligji për Fëmijët i jep të drejtë Agjensisë që për çdo shkelje të vërejtur të marrë masa ndaj subjekteve fizike ose juridike, shtetërore apo private, dhe sipas rastit të kërkojë ndjekjen penale të tyre, nëse konstatohet kryerja e një vepre penale.   

AKEP – Autoriteti për Komunikimet Elektronike dhe Postare është rregullatori i të gjithë industrisë së internetit në Shqipëri, i cili në të njëjtën kohë është edhe lëshues i liçensave për kompanitë që duan të ofrojnë shërbime të internetit (ISP-të) apo të telefonisë fikse dhe asaj celulare. Ligji për Komunikimet Elektronike i jep të drejtë AKEP që të kërkojë nga ISP-të dhe kompanitë e telefonisë që të marrin masa apo raportojnë për shqetësime që kanë të bëjnë me internetin dhe sigurinë e tij, apo kur ka patur dyshime apo është vërtetuar shkelja e ligjit penal, të kërkojë marrjen e masave për bllokimin e subjekteve specifike online, gjetjen e personit etj. 

Policia e Shtetit është institucioni përgjegjës që garanton mbrojtjen e rendit dhe qytetarëve në Shqipëri, përfshirë edhe fëmijët dhe të rinjtë. Në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ajo kryen hetime për të gjitha veprat penale që ndodhin ndaj fëmijëve. Pranë saj funksionon një sektor modest për hetimet e krimit kibernetik me specialistë të trajnuar edhe për krimet ndaj fëmijëve. 

Komiteti Këshillues për Sigurinë e Fëmijëve në Internet, në kuadër të zbatimit të Planit, palët nënshkruese të tij kanë rënë dakord që të ngrenë Komitetin Këshillues për Sigurinë e Fëmijëve në Internet. Komiteti në përbërje të tij do të ketë nga një përfaqësues të çdo Ministrie nënshkruese të Planit, një anëtar nga ASHDMF, Policia e Shtetit, AKEP etj. Anëtar i komitetit mund të jetë çdo organizatë e shoqërisë civile, institucion publik, kompani telekomunikacioni etj. Qëllimi i Komitetit është forcimi i dialogut midis institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, industrisë së internetit dhe komunikimit, për sigurinë në internet, me synim krijimin e një rrjeti informal midis të gjithë aktorëve që punojnë dhe kujdesen për mbrojtjen online të fëmijëve. 

 
MEMBER OF


 

Rreth Nesh

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Lidhuni me ne